ILC – për liberalizimin e vizave!

Argjend Zejnaj nga Instituti për Lidership Civil deklaroi se, edhe pse liberalizimi i vizave për Kosovën është konfirmuar, ekzistojnë deklarata kërcënuese për pezullimin e tij.

“Çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës që liberalizimi i vizave të mos kthehet në një fatkeqësi në lidhje me zbrazjen e vendit, sidomos nga gjeneratat e reja dhe, më shumë se kaq, nga profesionistët? Duhet të ndërmerren masa emergjente dhe urgjente për të stabilizuar vendin nga pikëpamja ekonomike dhe financiare. Kjo përfshin përfundimin e sagës së Ligjit të Pagave, si dhe rikthimin në funksion të plotë të Këshillit Ekonomik Social, me pjesëmarrje të gjitha niveleve të organizimit shtetëror, publik, privat dhe sindikal.

Pagat duhet të rriten me urgjencë, por jo përmes vendimeve qeveritare, por përmes ligjit. Duhet të parashihet një mekanizëm automatik që lidh rritjen e pagave me rritjen ekonomike çdo vit,” theksoi drejtori ekzekutiv i ILC-së në tryezën e organizuar nga grupi parlamentar i AAK-së, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua tema: “Liberalizimi i vizave dhe migrimi i qytetarëve.”