Reagim i Institutit për Lidership Civil (ILC): Energjia është e drejtë, jo luks!

Reagim i Institutit për Lidership Civil (ILC)
Lidhur me protestën qytetare kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Instituti për Lidership Civil (ILC) shpreh mbështetje të plotë për protestën paqësore dhe të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët sot u mblodhën në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Në një kohë kur inflacioni, papunësia dhe mungesa e sigurisë ekonomike po e rëndojnë jetën e përditshme të qytetarëve, çdo rritje e barrës financiare pa një konsultim të gjerë dhe pa një arsyetim të qartë teknik dhe moral përbën një cënim të drejtpërdrejtë të drejtës për një jetesë të dinjitetshme.

ILC rikujton se energjia elektrike është një e mirë publike dhe qasja në të nuk mund të trajtohet thjesht si treg mallrash, por si një komponent kyç i sigurisë sociale dhe zhvillimit ekonomik. Vendimmarrjet që prekin jetën e përditshme të qytetarëve duhet të jenë transparente, të arsyetuara dhe të paraprira nga një proces gjithëpërfshirës konsultimi publik.

U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të dëgjojnë zërin qytetar, të rishikojnë urgjentisht vendimin për shtrenjtimin e energjisë dhe të prezantojnë një plan afatshkurtër dhe afatgjatë që garanton qasje të drejtë dhe të përballueshme në energji për të gjithë qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.

ILC do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces dhe të mbështesë çdo përpjekje qytetare që synon forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe drejtësisë sociale në Republikën e Kosovës.